“Misteri i vjedhjes së skeletit”, është roman për fëmijë, i cili e merr subjektin nga dita e gënjeshtrave që është dita e një prillit. Shkrimtari amerikan Ron Roy, me një gjuhë të thjeshtë, sjell skena nga jeta e fëmijëve në një shkollë, ku protagonist në ditën e gënjeshtrave është drejtori i shkollës dhe tre fëmijët personazhe tek seria e librave “Hetuesit e vegjël”. Qëllimi i sajesës së një gënjeshtre, nga drejtori, është vënia në lëvizje e nxënësve dhe intelektit të tyre në këmbim të një shpërblimi, në ditën e një prillit.
Në roman veprojnë disa personazhe si drejtori, sekretarja, infermierja, mësuesja, fëmijët e klasave të tjera, por sidomos Roza, Dinku dhe Joshi, të cilët arrijnë të zbulojnë të vërtetën dhe të fitojnë, së bashku me klasën, shpërblimin e premtuar.
Libri ka skena tërheqëse, përshkrim mjeshtëror, gjuhë të përshtatur për moshën dhe shqipërim të mirë.
Paraqitja grafike dhe ilustrimi i librit e bëjnë të lehtë në lexim dhe të kuptueshëm. Botimi është i pajisur me një material pedagogjik për bashkëbisedim të fëmijës me mësuesin apo prindërit.
Libri ka 100 faqe, çmim 300 lekë dhe gjendet në çdo librari.