Vetëm pesëmbëdhjetë

Është roman i shkruar nga Autorja Sofika Bonjaku, vlonjatja që punon dhe jeton në Selanik. Romani është një libër i bukur si për moshat rinore ashtu edhe për të rritur. Përvojë nga jeta apo një fabul e gjetur më së miri autorja e sjell për lexuesin me një gjuhë të thjeshtë tregimtare fatin e një vajze të dhunuar në familjen e sajë nga qëndrimi patriarkal i prindërve të saj. Por bukuria e vajzës bënë që ajo të gjuhet dhe të përdhunohet nga dikush. Kjo është arsyeja dhe momenti që vajza largohet nga shtëpia. Po për ku?! Një rrugë pa adresë, një kërkim të fatit pa asnjë objektiv. Mjafton të ik e të ik, të largohet nga fati i saj i zi. Por jeta nuk e tradhton. Njerëz të mirë ka ashtu siç ka edhe të këqij.

Një jetë me peripeci në migracion, njohja e përdhunuesit dhe kthimi në shtëpinë ku vajza u lind dhe u rrit janë surpriza të këndshme por mjaft emocionuese për lexuesin.

Vajza bëhet nënë, më pas grua dhe gjyshe ndërsa autorja me figuracione letrare dhe tregim narrativ ku personazhi kryesor është në vetën e parë të mban të mbërthyer në faqet e tij. Situata xhelozie, patriarkalizmi, përdhunimi, dashurie të sinqertë, situata njerëzore, në marrëdhënie normale dhe të ngarkuara, në situata ngjarjesh ku të droguarit bëhen pjesë e jetës së personazhit kryesor, në momente intrigash dhe momente të përzishme, në roman vjen një jetë e trazuar e një emigranteje shqiptare rrugëve të botës nisur nga pamundësia e jetës në vendlindje por edhe keqformimit në familjet tona patriarkale.

Vlusha Jonë

Është libër me përshkrime dhe ngjarje historike për fshatin Vlushë në rrethin e Skraparit. Vlusha një fshat jo i vogël që ka mbajtur edhe ajo peshën e historisë së krahinës ka edhe rritjet dhe rënien e saj në vendbanim. Momente të tillë, ngjarje historike e ndodhi grupimesh sipas fiseve, portrete njerëzish të lindur e të rritur atje por që kanë bërë emër të mirë në krahinë e më gjerë, vijnë nëpërmjet faqeve të këtij libri. Fiset dhe familjet sipas fiseve në fshatin Vlushë vijnë nëpërmjet skemave të tyre por edhe të fotografive të shumta të cilat autori i ka sjell në botim.

Është një libër i rëndësishëm për lexuesin që kërkon të njoh atë fshat e krahinë por sidomos i vlefshëm si dokument në të ardhmen për studiues të ndryshëm.

Zemrat Shtegtojnë

Autori në hyrje të librit shkruan për lexuesin: Përpara ke shpirtin e hapur të një krijuesi modest, ke botën e tij që jeton nën makthin e vazhdueshëm të së pathënës, të së pamundurës tunduese e sfilitëse. Jam vizitor i rastësishëm në këtë univers të pafundmë. Ashtu siç erdha në këtë botë të trazuar nga vorbulla e vluar e çoroditjes po ashtu do të iki, i përzënë nga hiri i harresës, duke ngelur një imazh i përkohshëm në ndonjë varg a rresht nekrologjie në ditën e fundit të ekzistencës e të qenit i paqenë.

Erdha për të jetuar, jetoj duke ëndërruar, do iki i ‘përzënë nga ngopja me jetë’.

Kaq është jeta, ky është kuptimi i saj. Lexim të këndshëm!

Tregoj nga jeta

Riza Bregu, drejtues dhe një nga figurat e njohura në Skrapar ka mbajtur shënime dhe kujtime gjatë punës së tij me njerëzit në sektorë të ndryshëm. Figura, njerëz, karaktere, peripeci të punës dhe sfida të jetës ka në shënimet e tij. Është një libër sa tërheqës në të përshkruar aq edhe i duhur nga ana e informacionit dhe njohjes së jetës në ato vite kur në Rrethin e Skraparit punohej dhe sfidoheshin vështirësitë nga ai komunitet.

Etja

Etje për dije, etje për punë, etje për pasuri, etje për …Ngado e kudo e ndesh dëshirën e njeriut për diçka dhe shumëçka. Edhe në rastet kur nuk e meriton dëgjon të flas për gjeni, për të suksesshëm edhe pse një dëftesë apo diplomë e merr me pagesë. Etje për uji, për ujin e pijshëm të cilin bashkatdhetarët e Autorit nuk e kanë akoma të realizuar edhe pse për gati 30 vjet kërkojnë atë i afrohen në fushata me anë të premtimeve dhe janë aq larg, apo më shumë të etur në zhegun e pranverës, verës, vjeshtës apo edhe dimrit në fshatra bile edhe në qytete. Një kurth i ngritur për shqiptarët, dëshirat për arritje dhe për një jetesë të mirë dhe keqqeverisjes apo papjekurisë së shtetformimit në vendin tonë. Kjo është tematika e Autorit Shefit Doksani në përmbledhjen me poezi “Etja”. Poezi e arrirë me tematikë aktuale dhe të gjerë jetësore.

Skrapari Visore dhe Visare

Është studim Etno-kulturor për rrethin e Skraparit me autor Zylyftar Plaku. Në libër paraqitet krahina e Skraparit me natyrën, historinë, traditat, zakonet, karakterin, tiparet dhe gjuhën krahinore tek banorët.

Në libër përshkruhen edhe ndryshimet e tyre në kontekst të shekujve, dekadave dhe viteve.

Autori ka edhe një dedikim, i cili është:

“Në shenjë respekti për të gjithë skraparlnjtë, të cilët kudo që janë vendosur me banim, jo vetëm nuk e harrojnë vendlindjen dhe krenohen me të, por edukojnë pasardhësit e tyre, që lindin e jetojnë në qytete të mëdha dhe evropiane, me krenari të pohojnë: “Jam nga Skrapari!”

Libri ka 150 faqe dhe çmim 500 lekë.

Siç më the ti

Një autor tjetër elbasanas vjen tek lexuesi me librin e tij me poezi të titulluar “Siç më the ti”. Shefqet Sulmina në të vërtet e ka librin e dytë që boton pas shumë e shumë shkrimesh e botimesh nëpër faqet e shtypit. Tashmë i formuar në teknikë, i zgjedhur në gjetje dhe i thellë në mendime autori vjen me dinjitoz tel lexuesi i tij. Tek ky botim i tij mëshirohet më së miri dashuria e shenjtë për fjalën, kujdesi dhe respekti për të. Autori është “armik” i fjalëve të huaja, por nuk e ngre nga vendi e ta përzërë kurrë një fjalë shqipe, të bukur për një fjalë të huaj, qoftë kjo më e bukura e dheut.

Dhimbja njerëzore, e dalë nga një shpirt bujar, nuk krijon kurrë dëshpërim e fanatizëm në krijimtarinë e tij, por përkundrazi, duke ruajtur urtësinë dhe butësinë, Autori, synon të zgjojë dashuri të reja, shpresa  të reja dhe të lartësojë dinjitetin e një njeriu krenar.

Libri me 100 faqe dhe çmim kopertine 400 lekë

Shpirtrat u grindën dhe u zbutёn

Poeti elbasanas, Tahir Tanushi, nёpёrmjet Shtёpisё Botuese “Jonalda”, ka prezantuar tek lexuesi librin e tij me poezi “Shpirtrat u grindën dhe u zbutёn”. Tashmё z. Tanushi ka edhe tre libra tё tjerë, me poezi, pёr plotësuar tek lexuesi kolanёn me 7 libra, tё serisë shpirtërore, nga tё cilat katёr i ka botuar.

Tanushi, e ka formuar profilin e vet poetik duke qёnё dinjitoz nё krijimtarinë e tij. Ёshtё ekonomist nё profesion dhe oficer policie nё detyrё por qё di t’i jap vlera vargut poetik. Kursimtar i fjalës ashtu si strikt nё shifrat si financier, skurpuloz nё gjetje ashtu si profesioni me uniformë, autori paraqitet i veçantë dhe triumfator nё krijimtarinë e fundme tё botuar nё kёtё libër.

Libri ka 150 faqe dhe kushton 500 lekë.

Profecitë e Zotit të Tomorrit

A është mali Tomor, treva ku Dodona Pellazgjike ka nismën e vet? A është mali mitik shqiptar, pika që sot vizitohet nga qindra e mijëra pelegrinë, vendi ku Dodona Pellazgjike ka “banesën” më të hershme se gjetjet arkeologjike në Janinë? Cilët ishin fiset që banonin rreth Malit të Shenjtë, në periudhën e hershme dhe cilat janë lidhjet e vazhdimësisë, sipas studiueseve dhe gjetjeve arkeologjike? Këto e të tjera përgjigje, të pyetjeve jep, libri me titull “Profecitë e Zotit të Tomorrit”. Është një vepër studimore ku autori Ilir Cenollari sjell tek lexuesi me burime historike nga autorë të lashtësisë dhe të ditëve tona.

Duke iu shmangur patriotizmës fals, autori shkencërisht sjell para lexuesit fakte dhe krahasime nga autorë të lasht si Homeri, Hosiodi, Stefan Bizantini, Hetakeu, Eskili, Pindari, Aristoteli, Horodoti, Plutarku, Polibi, Straboni, Titi Livi, Apolodori, Plini etj etj. të cilat i krahason me studimet për gjetjet arkeologjike dhe studime gjuhësore të shkencëtarëve më në zë në Evropë e në botë, albanolog e jo të tillë, të cilët kanë debatuar për shenjtërinë e Malit Tomor.

Referencat që ka bërë autori me pohimet e autorëve të lasht si Tuqididi, Stefan Bizantini, Hygini, Ovidi etj. si dhe studimet e disa albanologëve të shquar me të cilët ai këshillohet sjellin tek lexuesi jetesën dhe bëmat e fiseve para ilire dhe ato ilire rreth Dodonës, në Arkadi, por edhe gjuhën dhe veshjet e tyre.

Libri “Profecitë e Zotit të Tomorrit” me autor Ilir Cenollarin dhe redaktor Zylyftar Plaku, vjen tek lexuesi nga Shtëpia Botuese “Jonalda” edhe me një përmbledhje në gjuhën angleze.

Libri ka 200 faqe dhe kushton 1000 lekë

Probleme të mësimdhënies…

Libri me autore mësuesen Elsa Toli është një ndihmesë e mirë për mësuesit që japin lëndën e Qytetarisë në shkollat 9-vjeçare. Por jo vetëm. Materiali ka përvojën e mësueses, ka studimin që ajo ka bërë por edhe propozime me vlerë për koleg e eprorë që punojnë në armatën e arsimtarëve në vendin tonë.

Libri ka 140 faqe dhe çmim kopertine 400 lekë